Rusia humbi zgjedhjet në tre organizata të Kombeve të Bashkuara

Rusia humbi zgjedhjet në tre organizata të Kombeve të Bashkuara

Rusia humbi zgjedhjet për anëtarësim në tre organizata të Kombeve të Bashkuara gjatë kësaj jave, një tregues se kundërshtimi ndaj Moskës vazhdon të jetë i fortë pas më shumë se një viti nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.

Votimi i 54 vendeve anëtare të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara vjen pas miratimit të 6 rezolutave ndaj Rusisë, që nuk kanë fuqi ligjore, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me 193 vende anëtare.

Në rezolutën e fundit, të miratuar në shkurt të këtij viti, me 141 vota pro, 7 kundër dhe 32 abstenime i bëhej thirrje Rusisë që“të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës, në kufijtë e saj të njohura ndërkombëtarisht, si dhe bën thirrje për ndalimin e luftimeve”.

Në zgjedhjet e Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, Rusia u mund thellë nga Rumania për një vend në Komisionin për Statusin e Grave.

Moska humbi përballë Estonisë për të qenë anëtare e bordit drejtues në agjencinë e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF. Po ashtu, u mund nga Armenia dhe Republika Çeke në votimin e fshehte për të qenë anëtare e Komisionit për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësisë Penale.

Në votimin për anëtarët e 14 komisioneve, bordeve dhe grupeve të ekspertëve që mbikqyr Këshillit Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara, Rusia u zgjodh në Komisionin për Zhvillimin Social, nga i cili janë tërhequr Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, duke thënë se agresioni rus në Ukrainë shkel ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës.

MARKETING