Rusia dhe SHBA pranojnë nevojën për negociata mbi traktatin bërthamor

Rusia dhe SHBA pranojnë nevojën për negociata mbi traktatin bërthamor

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara “e njohin nevojën për të filluar negociata” mbi çështjen e traktatit bërthamor, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp. Peskov e cilësoi gjithashtu si “konstruktive” raundin e bisedimeve trepalëshe të zhvilluara këtë javë në Abu Dhabi, mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

I pyetur nëse Moska po shqyrton një zgjatje afatshkurtër të traktatit New START me Uashingtonin, Peskov u shpreh se një zgjatje formale është e mundur, por përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje joformale. “Dispozitat mund të zgjaten zyrtarisht, por nuk ka gjasa që të ketë zgjatje joformale në këtë fushë,” tha ai. Sipas tij, në Abu Dhabi u diskutua edhe domosdoshmëria që të dyja palët të mbajnë qëndrime të përgjegjshme dhe të nisin sa më shpejt negociatat për një marrëveshje të re. “Ekziston një mirëkuptim i përbashkët se negociatat duhet të fillojnë pa vonesa,” theksoi Peskov.

Traktati historik New START, i cili vendoste kufizime mbi arsenalet bërthamore të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, skadoi të enjten, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare për rrezikun e një gare të re armësh bërthamore mes dy fuqive kryesore bërthamore në botë. Nga ana e tij, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh se Uashingtoni duhet të negociojë një traktat të ri dhe më të përmirësuar bërthamor me Rusinë, në vend të zgjatjes së marrëveshjes ekzistuese. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump e cilësoi New START si një marrëveshje “të negociuar dobët” dhe theksoi nevojën për një traktat modern, afatgjatë dhe më efektiv për sigurinë globale.

 

MARKETING