Rusia dhe Koreja e Veriut zotohen të bashkohen kundër kërcënimit ushtarak imperialist

Rusia dhe Koreja e Veriut zotohen të bashkohen kundër kërcënimit ushtarak imperialist

Rusia dhe Koreja e Veriut kanë rënë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin strategjik dhe taktik dhe të bashkohen kundër “kërcënimit ushtarak imperialist”, raportoi media shtetërore e Phenianit, transmeton Anadolu.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan të mërkurën dhe diskutuan çështjet e bashkëpunimit të menjëhershëm “që dalin në mbrojtjen e sovranitetit dhe zhvillimit dhe interesave të dy vendeve”, sipas Agjencisë Qendrore verikoreane të Lajmeve.

Kim, i cili mbërriti në qytetin e Lindjes së Largët të Rusisë, Vladivostok për një vizitë dy-ditore të martën me trenin e tij special të blinduar, u takua me Putinin pas katër vjetësh.

Putin gjithashtu pranoi ftesën e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un për të vizituar Phenianin, sipas agjencisë së lajmeve.

Gjatë qëndrimit të tij në Rusi, Kim, së bashku me Putinin, vizituan gjithashtu portin hapësinor Vostochny, ku u informua për veçoritë teknike të raketave Soyuz-2, Angara dhe të llojeve të tjera transportuese dhe proceset e montimit dhe lançimit të tyre.

Kim u shoqërua gjithashtu nga ministri i tij i mbrojtjes dhe komandantë të tjerë të lartë ushtarakë gjatë vizitës.

Të mërkurën, Putin tha se takimi i tij me Kim ishte “produktiv”, duke e përshkruar atë si “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh” mbi situatën në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Ai tha se Rusia dhe Koreja e Veriut kanë mundësi për të zhvilluar bashkëpunimin ushtarak, pavarësisht sanksioneve të OKB-së.

“Ka disa kufizime. Rusia i respekton të gjitha këto kufizime. Por ka gjëra për të cilat mund të flasim. Gjithashtu edhe këto janë me perspektivë. Sipas rregullave aktuale, ne kemi gjithashtu mundësi, të cilat i shohim dhe i diskutojmë”, deklaroi ai gjatë intervistës së tij me kanalin televiziv shtetëror Rossiya-1.

MARKETING