Rusi, rritet në 140 numri i viktimave nga sulmi terrorist në Moskë

Rusi, rritet në 140 numri i viktimave nga sulmi terrorist në Moskë

Është rritur në 140 numri i personave që humbën jetën nga sulmi terrorist në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, transmeton Anadolu.

Ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko në një deklaratë për gazetarët tha se vazhdon trajtimi i të plagosurve për shkak të sulmit terrorist në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” më 22 mars.

“Një nga personat që po trajtoheshin humbi jetën sot. Fatkeqësisht humbi jetën një prej atyre që ishte jashtëzakonisht rëndë. Mjekët bënë çdo gjë të mundshme”, tha Murashko.

Ai theksoi se vazhdojnë trajtimin 80 persona prej të cilëve 19 në gjendje të rëndë.

Kreu i Komitetit Hetimor të Rusisë, Alexander Bastrykin në një deklaratë më 25 mars tha se numri i personave që kanë humbur jetën në sulm ishte 139.

– Sulmi terrorist në sallën e koncerteve në Moskë

Mbrëmjen e 22 marsit persona të armatosur kryen sulm terrorist në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” në Moskë.

Në pamjet e ndara në mediat sociale, shihej se agresorët hapnin zjarr me armë automatike pa dallim ndaj të pranishmëve në sallë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin njoftoi arrestimin e 11 personave, përfshirë edhe 4 terroristët që kryen sulmin. Ministria ruse e Emergjencave dje njoftoi se punimet në sallë kanë përfunduar.

MARKETING