Rubio: Kemi biseduar me Ukrainën për lëshime territoriale

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se ka pasur bisedime me Ukrainën për lëshime territoriale gjatë një takimi në Arabinë Saudite dhe se ata po shpresojnë për një përgjigje pozitive ndaj armëpushimit nga Rusia.
“Nëse Rusia thotë jo, shumë gjëra do të bëhen më të qarta për ne. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Ukraina ka nevojë për një parandalim të mjaftueshëm kundër sulmeve të ardhshme”, u tha Rubio gazetarëve në aeroportin Shannon në fillim të një vizite në Republikën e Irlandës, raporton euronews.
Sekretari amerikan, Rubio tha se nuk do ta karakterizonte marrëveshjen e propozuar për mineralet midis Ukrainës dhe SHBA-së si një garanci sigurie.
“SHBA do të ketë kontakte me Rusinë sot, por ne nuk e dimë ende se cili do të jetë reagimi i Moskës ndaj armëpushimit të propozuar. Sanksionet evropiane kundër Rusisë do të jenë në tryezë në çdo marrëveshje armëpushimi”, shtoi Rubio.