Rritet në 68.280 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Është rritur në 68.280 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet e Izraelit dhe të atyre që nxirren nga rrënojat në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet e Gazës janë sjellë 2 të plagosur si dhe 14 palestinezë të vdekur, 13 prej të cilëve të nxjerrë nga rrënojat.
Deklarata vë në dukje se që nga fillimi i armëpushimit, 89 persona kanë humbur jetën dhe 317 të tjerë janë plagosur, ndërsa nga rrënojat janë nxjerrë 449 trupa.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 8 tetori 2023 është rritur në 68.280, ndërsa numri i të plagosurve në 170.375.
Gjithashtu në deklaratë transmetohet se 32 palestinezë që u dorëzuan nga Izraeli dhe që janë identifikuar nga të afërmit e tyre iu shtuan numrit të të vrarëve në sulmet izraelite në Gaza.
Thuhet se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
– Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi më 9 tetor se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.
Marrëveshja, e nënshkruar në Egjipt ku u zhvilluan negociatat, hyri zbatim më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga “vija e verdhë” siç përcaktohet në marrëveshje, u njoftua se armëpushimi në Rripin e Gazës hyri në fuqi në orën 12:00 të së njëjtës ditë.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdon herë pas here sulmet e saj ndaj palestinezëve për arsye të ndryshme.