Rritet në 62.744 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 62.744 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza, transmeton Anadolu.
Një deklaratë nga ministria thuhet se 58 persona u vranë dhe 308 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të të plagosurve në 158.259.
Ministria raportoi gjithashtu 11 vdekje të reja nga uria dhe kequshqyerja, përfshirë dy fëmijë, duke e çuar numrin total të vdekjeve të lidhura me urinë në 300, midis tyre 117 fëmijë.
“Shumë viktima mbeten të bllokuara nën rrënoja ose në rrugë”, tha ministria, duke konfirmuar se ekipet e shpëtimit ende nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite dhe mungesës së pajisjeve.
Që nga 18 marsi, kur Izraeli rifilloi fushatën e tij ushtarake pas thyerjes së një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve, Ministria e Shëndetësisë tha se 10.900 palestinezë janë vrarë dhe 46.218 janë plagosur.
Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të shënjestrojnë civilët që kërkojnë ndihmë humanitare, duke vrarë 28 persona dhe duke plagosur 184 të tjerë në 24 orët e fundit.
Sipas ministrisë, 2.123 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 15.615 janë plagosur ndërsa kërkojnë ndihmë që nga 27 maji.
Bllokada e plotë e Rripit të Gazës nga Izraeli, në fuqi që nga fillimi i marsit, ka krijuar kushte katastrofike për 2,4 milionë banorët e enklavës, duke çuar në uri, sëmundje të përhapura dhe kolaps të shërbimeve thelbësore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës së tij në enklavë.