Rritet në 61.800 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 61.776 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e ministrisë tha se 54 trupa, përfshirë katër të nxjerrë nga rrënojat, u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 831 persona tjerë u plagosën, duke e çuar numrin e të plagosurve në 154.906 që nga fillimi i luftës.
“Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ambulanca dhe ekipet e mbrojtjes civile nuk janë në gjendje të arrijnë”, shtoi deklarata.
Ministria vuri në dukje se 22 palestinezë u vranë dhe 269 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të palestinezëve të vrarë derisa kërkonin ndihmë në 1.881, me më shumë se 13.863 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.
Raportohet se katër persona kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga uria në 239, përfshirë 106 fëmijë ndërsa kriza humanitare në enklavë thellohet.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 10.251 persona dhe ka plagosur 42.865 të tjerë, duke e prishur një armëpushim dhe marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.