Rritet në 61.600 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 61.599 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se 100 trupa, përfshirë 11 të nxjerrë nga rrënojat, u sollën në spitale në 24 orët e fundit ndërsa 513 persona u plagosën, duke e çuar numrin total të të plagosurve në 154.088 që nga fillimi i luftës.
“Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e ambulancës dhe Mbrojtjes Civile nuk janë në gjendje të arrijnë”, shtoi ajo.
Ministria njoftoi se 31 palestinezë u vranë dhe 388 u plagosën nga sulmet izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë në 1.838, me më shumë se 13.409 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.
Gjithashtu raportoi se 5 persona, përfshirë 2 fëmijë, kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Kjo e çon numrin total të të vdekurve nga uria në 227, përfshirë 103 fëmijë, ndërsa kriza humanitare në enklavë thellohet.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 10.078 persona dhe ka plagosur 42.047 të tjerë, duke shkatërruar një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.