Rritet në 51 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas të SHBA-së

Numri i personave të vdekur në përmbytjet e shpejta në shtetin amerikan të Teksasit u rrit në 51 të shtunën vonë, njoftojne mediat e vendit, transmeton Anadolu.
Në Qarkun Kerr, më të goditurin nga përmbytjet, zyrtarët raportuan 43 vdekje, përfshirë 28 të rritur dhe 15 fëmijë. Qarku Travis konfirmoi katër vdekje, qarqet Kendall dhe Tom Green nga një, ndërsa zyrtarët e Qarkut Burnet njoftuan dy vdekje, tha NBC News.
Në Qarkun Kerr, 27 fëmijë janë ende të zhdukur pasi ujërat e përmbytjeve përshkuan Kampin Mystic, një kamp veror të krishterë për vajza.
Zyrtarët thanë se përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar pas përmbytjeve shkatërruese.
Më parë, Kryetari i Qytetit Kerrville, Dalton Rice, raportoi se përpjekjet e kërkim-shpëtimit mbeten përparësia kryesore në Teksasin qendror, ndërsa ekipet po kërkojnë të zhdukurit përgjatë lumit Guadalupe, tha CNN.
“Ne jemi vërtet të përqendruar në sigurinë e jetës. Fokusi ynë kryesor është kërkimi dhe shpëtimi i çdo personi të përfshirë dhe do të vazhdojmë gjatë gjithë natës për t’u siguruar që kjo të ndodhë”, ka thënë Rice.
Përmbytjet filluan të enjten vonë dhe zgjatën deri në orët e para të së premtes, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm përfshinë lumin Guadalupe, duke e çuar nivelin e tij në mbi 11,8 metra, duke e tejkaluar përmbytjen e dytë më të madhe moderne të rajonit në vitin 1987.