Rritet në 43.550 numri i palestinezëve të vra’rë nga sul’met izraelite në Ga’za
Të paktën 44 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga viti i kaluar në 43.552, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria shtoi se rreth 102.765 të tjerë janë plagosur në sulmet në vazhdim.
“Forcat izraelite vranë 44 persona dhe plagosën 81 të tjerë në katër masakra të familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ajo.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar.
Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.