Rritet në 31 numri i të vdekurve nga protestat e dhunshme në Nepal

Rritet në 31 numri i të vdekurve nga protestat e dhunshme në Nepal

Numri i të vdekurve nga protestat e dhunshme në Nepal është rritur në 31, ndërsa po zhvillohen diskutime për të krijuar qeveri të përkohshme pas dhunës që rrëzoi qeverinë e kryeministrit KP Sharma Oli, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.

Sipas Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Spitalin Mësimor të Universitetit “Tribhuvan”, ku trupat e pajetë të protestuesve janë dërguar për autopsi, deri më tani është përcaktuar identiteti i 25 viktimave. Identiteti i gjashtë të vdekurve të mbetur, njëra prej të cilëve është grua, nuk dihet ende, raportoi e përditshmja lokale angleze “Kathmandu Post”.

Ushtarët nepalezë hapën zjarr të enjten në mëngjes për të ndaluar një arratisje nga burgu, duke vrarë të paktën dy të burgosur dhe duke plagosur shumë të tjerë. Përpjekja e fundit për arratisje nga burgu ndodhi në distriktin Ramechhap të provincës Bagmati kur të burgosurit thyen disa brava të brendshme dhe u përpoqën të hapnin portën kryesore përpara se forcat e sigurisë të qëllonin.

Në burg ishin më shumë se 300 të burgosur ndërsa policia tha se situata është nën kontroll dhe asnjë i burgosur nuk ka mundur të arratiset. Nepali ka shënuar disa arratisje nga burgjet pas protestave të dhunshme, me 15 mijë të burgosur që arritën të arratisen gjatë ditëve të fundit.

Ushtria ka marrë komandën e sigurisë në vend pasi protestat e “Gjeneratës Z” e detyruan kryeministrin Oli të jepte dorëheqje. Ndërkohë po zhvillohen diskutime për të zgjedhur udhëheqjen e një qeverie të përkohshme që do të drejtojë vendin e vogël himalajan deri në zgjedhjet e reja.

Të rinjtë protestues kanë zgjedhur ish-kryetaren e Gjykatës, Sushila Karki në një sondazh online si kandidate për kreun e qeverisë së përkohshme. Një pjesë e protestuesve ka propozuar emrin e kryetarit të bashkisë së Katmandus, Balendra Shah, për të kryesuar qeverinë e përkohshme.

MARKETING