Rritet në 3.471 numri i të vdekurve nga tërmeti në Mianmar

Numri i të vdekurve nga tërmeti masiv në Mianmar është rritur në 3.471, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të gjejnë trupa të tjerë, njoftoi media shtetërore, transmeton Anadolu.
Tërmeti me magnitudë 7,7 që ndodhi më 28 mars gjithashtu ka lënduar 4.671 viktima dhe ka lënë 214 të zhdukur.
Rreth 653 persona të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave janë shpëtuar nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare të shpëtimit, ndërsa po ashtu janë nxjerrë 682 trupa.
Zyrtari më i lartë i ndihmës i OKB-së, Tom Fletcher, i cili takoi viktimat në qytetin qendror Mandalay, që ndodhet afër epiqendrës së tërmetit, e përshkroi situatën si “tronditëse” dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar “të qëndrojë prapa popullit të Mianmarit”.
Grupet e ndihmës kanë frikë se një kombinim i shirave të papërshtatshëm dhe nxehtësisë ekstreme mund të shkaktojë shpërthime sëmundjesh, duke përfshirë kolerën, për të mbijetuarit që janë duke kampuar në natyrë.
“Familje po flenë jashtë rrënojave të shtëpive të tyre, ndërsa trupat e të dashurve nxirren nga rrënojat. Frikë e vërtetë nga më shumë tërmete”, shkroi Fletcher në X.
Ndërkohë, linja hekurudhore Yangon-Mandalay dhe Aeroporti Ndërkombëtar Mandalay u rihapën pasi ishin mbyllur për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Lëkundjet kishin dëmtuar 60 argjinatura dhe 11 ura hekurudhore përgjatë linjës Yangon-Mandalay, përveçse shkaktuan lakimin e binarëve në disa zona.
Në Tajlandën fqinje, numri i të vdekurve nga tërmeti është rritur në 24, me 77 të zhdukur.