Rritet në 259 numri i të vdekurve nga tajfunet në Filipine
Numri i viktimave nga tajfunët “Fung-wong” dhe “Kalmaegi” në Filipine është rritur në 259, ndërsa 114 persona vazhdojnë të raportohen të zhdukur në mbarë vendin, transmeton Anadolu.
Javën e kaluar, tajfuni “Kalmaegi” goditi provincën Cebu dhe disa zona në rajonin Visayasi Qendror, duke lënë pas 232 të vdekur, 112 të zhdukur dhe 523 të lënduar ndërsa më shumë se 4.1 milionë persona u prekën, raportoi Agjencia e Lajmeve të Filipineve, duke cituar Këshillin Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rreziqeve (NDRRMC).
Tajfuni gjithashtu shkaktoi dëme të rënda në rrugë dhe infrastrukturë, duke ndikuar në afërsisht 135 mijë shtëpi, nga të cilat 20.510 u shkatërruan plotësisht. Tajfuni më i fundit, “Fung-wong” i cili goditi vendin të premten në mbrëmje dhe doli nga Zona e Përgjegjësisë së Filipineve herët të martën, la pas 27 të vdekur, 36 të lënduar dhe dy të zhdukur.
Autoritetet lokale thanë se tajfuni preku mbi 4.4 milionë njerëz në 15 rajone, përfshirë Luzonin Qendror, rajonin autonom Bangsamoro në Mindanaon Musliman (BARMM) dhe Visayasin Perëndimor.
Më shumë se 800 mijë njerëz të zhvendosur po strehohen në rreth 11.800 qendra evakuimi në zonat e prekura. Stuhia gjithashtu dëmtoi rrugë dhe ura ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë vazhdojnë në dhjetëra qytete dhe komuna.
Sipas Ministrisë së Arsimit, tajfuni i fundit dëmtoi gati 3.000 shkolla, prej të cilave 1.238 u shkatërruan plotësisht. Tajfuni “Fung-wong” i njohur ndryshe edhe si tajfuni “Uwan” doli nga Zona e Përgjegjësisë së Filipineve herët të martën dhe aktualisht po lëviz drejt Tajvanit, ku agjencia meteorologjike tha se po dobësohet, por mund të sjellë reshje të dendura në Tajvanin qendror dhe jugor gjatë ditës.

