Rriten tensionet në Bosnjë dhe Hercegovinë para shpalljes së vendimit për Dodikun

Rriten tensionet në Bosnjë dhe Hercegovinë para shpalljes së vendimit për Dodikun

Bosnja dhe Hercegovina po pret shpalljen e vendimit këtë javë nga procesi gjyqësor ndaj liderit politik të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili premton një “përgjigje” dhe krijon frikë për një përshkallëzim, tre dekada pas luftës.
Presidentit të Republikës Sërpska i është gjykuar që nga shkurti i vitit 2024, pasi nuk ka vepruar sipas vendimit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili është përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së paqes.
“Vendimi juaj do të përcaktojë të ardhmen e Bosnjë dhe Hercegovinës,” i tha Dodik gjyqtarit të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në Sarajevë në përfundim të gjyqit javën e kaluar. “Ky vendim mund t’i japë goditjen përfundimtare BeH-së,” u tha ai gazetarëve teksa largohej nga gjykata.
Prokuroria ka kërkuar një dënim “sa më afër maksimumit”, konkretisht pesë vjet burg për këtë vepër penale, si dhe një ndalim dhjetëvjeçar për ushtrimin e funksioneve publike.
Milorad Dodik e refuzon “gjyqin politik” dhe pretendon se ai është një “vazhdim” i sanksioneve amerikane, të cilat i janë vendosur atij që nga viti 2017 për politikën e tij separatiste, me synimin për ta “eliminuar nga jeta politike”.
Dodik, gjithashtu, nuk e njeh legjitimitetin e Christian Schmidt, pasi ky është emëruar pa një diskutim të rregullt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një qëndrim që gjen mbështetje nga Rusia dhe Kina si anëtare të përhershme të Këshillit.
Në prag të shpalljes së vendimit, e planifikuar për të mërkurën, institucionet në Banja Luka janë vënë në gjendje gatishmërie, për të qenë “të përgatitura” për vendimin.

MARKETING