Rrezik nga epidemia – Azia merr masa ndaj virusit Nipah
Shpërthimi i virusit vdekjeprurës Nipah në West Bengal të Indisë ka nxitur shqetësime në disa zona të Azisë, që madje kanë kthyer masa shtrënguese nëpër aeroporte.
Tajlanda ka shtuar kontrollet e pasagjerëve që vijnë nga West Bengali. Nepali po ashtu ka shtuar kontrollet në aeroportin Katmandu dhe pikat tjera të lidhjes me Indinë.
Pesë punëtorë shëndetësorë në West Bengal u infektuan me virus më herët gjatë muajit. Një nga ta është në gjendje kritike. Rreth 110 njerëz që ishin në kontakt me ta janë izoluar.
Virusi mund të shpërndahet nga kafshët te njerëzit. Ka shkallë të lartë vdekshmërie – 40-75 për qind – pasi s’ka vaksinë e ilaç për ta trajtuar.
Çka është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat e tij?
Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshët, si derrat dhe lakuriqët e frutave, te njerëzit. Mund të shpërndahet edhe nëpërmjet ushqimit të kontaminuar. Te njeriu bartet edhe me kontakt direkt me lëngjet e një njeriu të infektuar.
Edhe ai detektohet përmes testeve që marrin mostra nga kanalet e frymëmarrjes, ose edhe urina.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar Nihapin në mesin e dhjetë prioriteteve të sëmundjeve, krahas patogjenëve si Covid-19 dhe Zika, kryesisht për shkak të potencialit për të nxitur epidemi.
Periudha e izolimit zgjat nga katër deri në 14 ditë.
Njerëzit që marrin virusin shfaqin disa lloje simptomash, ose nganjëherë, asnjë fare. Simptomat fillestare mund të përfshijnë ethe, kokëdhimbje, dhimbje të muskujve, vjellje dhe dhimbje fyti. Te disa njerëz, më pas përcillet me përgjumje, lodhje dhe pneumoni. Në raste të rënda mund të ndodhë edhe inflamacion i trurit.
Deri tash, as ilaçe e as vaksina nuk janë miratuar për ta trajtuar virusin.
Si ndodhën shpërthimet e kaluara?
Shpërthimi i parë i Nipahit ishte në vitin 1998 mes fermerëve të derrave në Malajzi dhe më pas u shpërnda në Singapor. Virusi e mori emrin nga fshati ku u zbulua për herën e parë.
Më shumë se 100 njerëz kishin vdekur e më shumë se 1 milion derra ishin therur në përpjekjet për ta ndalur virusin. Kjo rezultoi në humbje të theksuara ekonomike.
Që prej vitit 2001, në Bangladesh kanë vdekur më shumë 100 persona.
Virusi ishte vërejtur më herët edhe në Indi. Shpërthime ka pasur në West Bengal edhe më 2001 e më 2007.
Së fundmi, Kerala ka qenë vatër e Nipahut. Më 2018, u raportuan 19 raste nga të cilat 17 ishin fatale. Më 2023, dy nga gjashtë raste vdiqën.
Çka po ndodh tash?
Të paktën pesë raste janë konfirmuar javën e shkuar dhe të gjitha lidhen me një spital privat në Barasat. Dy infermiere po trajtohen në njësitin intensiv. Një nga to është në gjendje kritike, sipas mediave të vendit.
Asnjë rast nuk është raportuar ende jashtë Indisë, por disa shtete po marrin masa parandalimi.
Të dielën, Tajlanda nisi shtimin e kontrolleve në aeroportet ndërkombëtare që pritnin pasagjerë nga West Bengal. Pasagjerëve të këtyre shteteve u është kërkuar të nënshkruajnë deklarata të shëndetësisë.
Ndërkohë autoritetet në Tajvan kanë propozuar që ta listojnë Nipahin si “sëmundje të kategorisë së pestë”, që u referohet infektimeve në rritje me rrezik të madh shëndetësor dhe që kërkojnë masa të menjëhershme.

