Rreth 300 burra në Kosovë kanë përjetuar dhunë në familje gjatë këtij viti

Rreth 300 burra në Kosovë kanë përjetuar dhunë në familje gjatë këtij viti

Të paktën janë 295 burra që kanë përjetuar dhunë në familje deri në qershorin e këtij viti. Kosova nuk ka një qendër strehimore për burrat që përjetojnë dhunë, megjithatë premtimet e institucioneve janë se kjo do të ndryshojë.

Ministria e Drejtësisë konfirmoi për KosovaPress se Komuna e Prishtinës është në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e kësaj qendre por pa dhënë një afat se kur mund të jetë gati.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj), Bexhet Shala, deklaroi për KosovaPress se numri real i burrave që pësojnë dhunë është shumë më i madh, po sipas tij, për shkak të krenarisë ata “nuk japin deklarata ose e paraqesin rastin vetëm gojarisht”.

“Realisht numri i atyre të cilët pësojnë dhunë nga femrat ndaj burrave, zyrtarisht është i ulët, është një numër i pa përfillshim dhe ndoshta kjo ka ndikuar që ata as nuk kanë kërkuar strehim por as ata të cilët kanë përgjegjësi për strehimin e tyre, nuk kanë marrë këtë çështje seriozisht. Në anën tjetër, numri real i masës që pësojnë dhunë nga femrat është shumë më i madh, mirëpo ata për shkak të krenarisë, nuk japin deklarata ose e paraqesin rastin vetëm gojarisht, por kur ne i themi si Këshill, është procedura që duhet të japin deklaratën me shkrim për ta vazhduar, ata nuk pranojnë të japin deklarata me shkrim dhe për këtë arsye numri i tyre është i vogël”, tha Shala.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 janë raportuar 2764 raste të dhunës në familje, ku prej tyre 2294 kanë qenë viktima femra, ndërsa 523 meshkuj. Ndërsa për këtë vit, gjatë periudhës janar-qershor, janë raportuar 1268 raste te dhunës në familje, ku nga këto raste viktima kanë qenë 1324, viktima femra 1029 raste dhe viktima meshkuj 295.

Gratë të cilat përjetojnë dhunë, bashkë me fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare, mund të qëndrojnë në njërën nga tetë strehimoret të cilat gjenden në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren, Mitrovicë Jugore dhe Novobërdë.

Sa i përket kësaj, Shala shton se edhe për burrat është e nevojshme që të ndërtohet një qendër strehimi, në rastet kur ata janë cak i dhunës. Sipas tij, për shkak të numrit të vogël të rasteve të dhunës ndaj burrave, institucionet e konsiderojnë si investim të tepërt.

“Është e nevojshme por shkaku i numrit që është ende shumë i vogël, ata që merren me këtë çështje e marrin si investim të tepërt sepse kjo kërkon mjete shtesë ose infrastrukturë, ose me gjet një strehim dhe nuk e di që dikush është marrë me këtë çështje. Mund ta bëjnë një zgjidhje të përkohshme, por nuk ka zgjidhje të përhershme siç ka për femrat që së paku për një vit, mund të gjejë një strehim në qendër apo në strehimore të burrave që janë nën ndikimin e dhunës… Kryesisht ndërlidhet me proceset pronësore ose kur është një mjedis problematik, kur fëmijët e tyre ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, duke u kërkuar para qoftë për narkotikë apo për gjëra të tjera. Në shumicën e këtyre rasteve mund të ndodhë që të tejkalohet dhe të arrihet një marrëveshje apo dhënies së mundësisë për të vazhduar jetën”, potencoi Shala.

Se ndërtimi i qendrave strehimore për personat që përjetojnë dhunë është i domosdoshëm e thotë edhe sociologu, Genc Xërxa. Ai shtoi se secili individ në shoqëri duhet të përkrahet.

“Sipas kulturës dhe traditës tonë, zakonisht qofshin përjetuesit e dhunës apo individë brenda familjes, gjithmonë kanë kërkuar përkujdesje apo strehim familjar, ndërsa përkrahja e institucioneve gjithmonë ka munguar. Pastaj kemi faktorët social, ata faktorë apo presionin e rrethit për shkak të vazhdojnë të përkujdesen në një qendër strehimore, u marrë si turpërim apo si një lloj presioni i rrethit… Kemi edhe faktorët ekonomikë, sidomos në qoftë se ato ekzistojnë, është një kosto për të mundur të marrin pjesë në ato. Pastaj, edhe faktorët e tjerë janë vetëdijesues apo emancipues, sesa një individ i përkrah ato. Mendoj se secili individ në shoqërinë tonë, duhet ta ketë përkrahjen, të jetë i përkrahur, i strehuar, i sigurt dhe i mirëqenë, janë më se të domosdoshme këto qendra strehimore të përkrahjes apo abuzimeve të ndryshme të dhunës ndaj meshkujve”, tha Xërxa.

Ndërkaq, përmes një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë thonë se është paraparë që të themelohet një strehimore, për djem dhe burra, viktima të dhunës në familje dhe personat LGBTI+.

MD shtoi se aktualisht Komuna e Prishtinës po punon në gjetjen e një lokacioni për të ngritur një qendër për ofrimin e shërbimeve të strehimit.

“Strategjia dhe Plani i Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, mbështet fuqishëm zbatimin e neneve dhe parashikimeve sipas Konventës së Stambollit. Pra, bazuar në objektivat strategjike të vet Strategjisë, është paraparë që të themelohet Strehimorja, e cila ofron shërbime mbështetëse dhe të strehimit për grupe të veçanta (djem dhe burra, viktima të dhunës në familje, personat LGBTI+). Veprimet e parapara në Strategji, parashohin një varg aktivitetesh që adresojnë strehimin për grupe të veçanta. Aktualisht, Komuna e Prishtinës është dukë punuar në gjetjen e një lokacioni për të ngritur një qendër për ofrimin e shërbimeve të strehimit. Aktualisht jemi në hartimin e politikave sociale dhe familjare, të cilat kanë për synim përmirësimin e shërbimeve sociale dhe ndërtimin e programeve të specializuara për çdo kategori dukë përfshirë edhe viktimat e dhunës në familje”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

 

MARKETING