Rregullatorët evropianë nisin hetim kundër Apple, Google dhe Meta

Rregullatorët evropianë nisin hetim kundër Apple, Google dhe Meta

Rregullatorët e Bashkimit Evropian hapën hetimet ndaj Apple, Google dhe Meta të hënën.

Ky hetim është i pari në përputhje me ligjin e ri, që hyri në fuqi këtë muaj, i cili ka për qëllim të mos i lejojë kompanitë e mëdha të teknologjisë ta kontrollojnë tregun digjital.

Komisioni Evropian tha se po i hetonte kompanitë për “mosbindje” ndaj Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA).
Akti i Tregjeve Digjitale që hyri në fuqi të plotë në fillim të këtij muaji është një ligj i gjerë që synon kompanitë gjigante që ofrojnë “shërbime të platformës kryesore” duke i detyruar ato t’u përmbahen një sërë rregullash se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo.

Nëse nuk i përmbahen ligjit, ato rrezikojnë ndëshkime të ashpra financiare, e madje edhe me mbylljen e bizneseve.

Komisioni ka dëgjuar ankesa se masat kanë dështuar të respektohen nga kompanitë e teknologjisë, ka theksuar zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Margrethe Vestager.
Rregullatorët po hetojnë nëse Google dhe Apple janë plotësisht në përputhje me rregullat e ATD-së që kërkojnë që kompanitë e teknologjisë të lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve të drejtojnë përdoruesit drejt ofertave në dispozicion jashtë dyqaneve të tyre të aplikacioneve.

Google përballet me kritika se nuk po u përmbahet rregullave të ATD-së, të cilat u ndalojnë kompanive gjigante t’i bëjnë preferenca shërbimeve të veta karshi atyre rivalëve.

Komisioni po heton gjithashtu nëse Apple po bën mjaftueshëm për të lejuar përdoruesit e iPhone të ndryshojnë lehtësisht ueb-brouserat.

Ndërkohë, Meta po hetohet për një opsion i cili u mundëson përdoruesve të paguajnë një shumë mujore për versione pa reklama të Facebook dhe Instagram, në mënyrë që ta shmangin përdorimin e të dhënave personale kur targetohen me reklama online.

MARKETING