Rikthimi i Trumpit, SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën
Ekipi i Donald Trumpit u ka bërë të ditur zyrtarëve evropianë se presidenti i ardhshëm i SHBA-ve do të kërkojë që shtetet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5 për qind të GDP-së, por planifikon gjithashtu të vazhdojë furnizimin me ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Sipas personave të njohur me bisedimet, ndihmësit më të afërt të Trumpit në politikën e jashtme kanë zbuluar synimet e 78-vjeçarit gjatë bisedave me zyrtarë të lartë evropianë, ndërsa ai po përpunon politikat drejt Evropës dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte zotuar të ndërpriste ndihmën për Ukrainën, të detyronte Kievin të hynte në bisedime paqeje të menjëhershme dhe të linte pa mbrojtje aleatët e NATO-s nëse ata nuk do të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen – duke tronditur kryeqytetet evropiane.
Por, në një sinjal pozitiv për aleatët e shqetësuar për aftësinë e tyre për të mbështetur dhe mbrojtur Ukrainën pa ndihmën e Uashingtonit, tani Trump ka në plan të vazhdojë furnizimet ushtarake për Kievin pas inaugurimit, sipas tre personave të tjerë të njohur me diskutimet me zyrtarët perëndimorë, shkruan financialtimes.
Ndërkohë, Trump do të kërkojë që NATO të dyfishojë objektivin e saj të shpenzimeve prej 2 për qind – të cilin aktualisht e përmbushin vetëm 23 nga 32 anëtarët e aleancës – në 5 për qind, sipas dy personave të njohur me bisedat.
Njëri prej tyre tha se Trumpi do të pranonte 3.5 për qind dhe planifikonte të lidhte rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen me oferta më të favorshme tregtare nga SHBA.
“Është e qartë se po flasim për 3 për qind ose më shumë për samitin [e NATO-s në] Hagë në qershor”, tha një zyrtar evropian i informuar për lëvizjet e Trumpit.
Aleatët e NATO-s tashmë janë duke diskutuar rreth rritjes së objektivit në 3 për qind në atë takim të liderëve në muajin qershor, por shumë kryeqytete janë të shqetësuara për vendimet e vështira fiskale që kjo do të kërkonte.
Aleatët kryesorë evropianë të NATO-s – përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Poloninë – u takuan me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Bruksel të mërkurën në mbrëmje për të diskutuar se si do të përshtateshin politikat e mbrojtjes së kontinentit përballë rikthimit të Trumpit.
Ndërkohë që Trump vazhdon të besojë se Ukraina nuk duhet të bëhet kurrë anëtare e NATO-s dhe kërkon përfundimin e menjëhershëm të konfliktit, ai gjithashtu beson se furnizimi me armë për Kievin pas një armëpushimi do të sigurojë një rezultat të politikës “paqja përmes forcës”, shtuan burimet.
Pas 24 orësh takimesh me liderët e NATO-s dhe BE-së në Bruksel, Zelensky deklaroi të enjten se premtimet evropiane për mbrojtjen e Ukrainës “nuk do të jenë të mjaftueshme” pa përfshirjen e SHBA-ve. /Telegrafi/