Rifillon prodhimi i bukës në Gaza pas bllokadës 81-ditore të ndihmës humanitare nga Izraeli

Rifillon prodhimi i bukës në Gaza pas bllokadës 81-ditore të ndihmës humanitare nga Izraeli

Disa furra të bukës në Rripin e Gazës kanë rifilluar prodhimin e bukës me mbërritjen e miellit në enklavë pas një bllokade të zgjatur të ndihmave humanitare nga Izraeli, raporton Anadolu.

MARKETING

Ndër furrat që kanë filluar procesin e prodhimit të bukës janë edhe furrat e mbështetura nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), pasi në mes të muajit prill të gjitha 25 furrat e bukës të mbështetura nga WFP-ja u mbyllën për shkak se mielli dhe karburanti për gatim mbaruan.

Sot, siç njoftoi OKB-ja, gjithsej 90 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza, duke shënuar dërgesat e para të tilla në 81 ditë që nga mbyllja e vendkalimeve kufitare nga Izraeli.

Më herët, drejtori i përgjithshëm i zyrës për media, Ismail Al-Thawabteh, tha se ndihma u nda për disa organizata ndërkombëtare dhe lokale në kuadër të përpjekjeve për shpërndarjen e ndihmave te populli palestinez për t’i ndihmuar në përmbushjen e një pjese të nevojave të tyre urgjente humanitare.

Autoritetet e Gazës theksuan se enklava ka nevojë për një minimum prej 500 kamionësh në ditë me ndihma urgjente dhe ndihma mjekësore dhe ushqimore, së bashku me të paktën 50 kamionë me karburant, si nevojë për shpëtimin e jetës mes një urie të përkeqësuar të shkaktuar nga mbyllja e pikave kufitare të Izraelit për më shumë se dy muaj.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbajtur një bllokadë të rreptë ndaj Gazës, duke mohuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe duke e çuar territorin në një uri e cila tashmë ka marrë shumë jetë.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

MARKETING