Reuters: Stafi i Zërit të Amerikës largohet nga puna pas urdhrit të Trump. Urdhërohen të mos hyjnë në ambientet e VOA-s

Punonjësit e Zërit të Amerikës u detyruan të largoheshin nga puna ditën e sotme, pasi presidenti i SHBA, Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv për shkurtimet federale ndaj agjencive që financoheshin nga qeveria, shkruan Reuters.
Qindra punonjës të VOA-s, një transmetues mediatik ndërkombëtar që operon në më shumë se 40 gjuhë, i treguan Reuters një email që u jepte atyre leje administrative të paguar dhe përfitime të tjera të plota, deri në një urdhër të dytë.
Emailet punonjësve u janë dërguar nga një drejtues ekzekutiv i burimeve njerëzore në Agjencinë Amerikane për Median Globale, agjencia mëmë e Zërit të Amerikës, ku i udhëzonin ata që të mos hynin në ambientet e punës dhe të mos preknin sistemet e pajisjet e VOA-s.
Nuk është ende e qartë se sa është numri i punonjësve që janë kaluar në pezullim nga detyra.
Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) gjithashtu ndërpreu fondet për Radion Evropa e Lirë e cila transmeton në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, si dhe për Radion e Azisë së Lirë, e cila transmeton në Kinë dhe Korenë e Veriut, sipas dokumenteve që ka parë Reuters.