“Reporterët pa Kufij” dënojnë fuqishëm sulmet izraelite që vranë gazetarët në Rripin e Gazës

Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) dënoi fuqishëm sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që vranë 5 gazetarë dhe i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të ndërmarrë veprime kundër Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga RSF rikujtohet se 5 gazetarë u vranë në një sulm ajror që Izraeli kreu ndaj spitalit “Nasser” në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës. “Izraeli i shënjestroi qëllimisht gazetarët”, thuhet në deklaratën në të cilën i bëhet thirrje KS-OKB të mblidhet urgjentisht për të ndaluar këtë “masakër”.
Më tej në deklaratë thuhet se sulmet e Izraelit ndaj gazetarëve dënohen fuqimisht.
Drejtori i përgjithshëm i RSF-së, Thibaut Bruttin tha se “Pavarësisht se mbrojtja e gazetarëve garantohet nga e drejta ndërkombëtare, më shumë se 200 gazetarë janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza në dy vitet e fundit. Dhjetë vjet pas miratimit të Rezolutës 2222 të KS-OKB-së e cila mbron gazetarët në kohë konflikti, ushtria izraelite po e shpërfill këtë rezolutë”.
Duke kërkuar t’i jepet fund pandëshkueshmërisë për krimet izraelite kundër gazetarëve, Bruttin shtroi pyetjen: “Sa larg do të shkojë ushtria izraelite në përpjekjen e saj për të shtypur gradualisht informacionin në Gaza?”.
Raportet fillestare tregojnë se 20 persona, përfshirë 5 gazetarë, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin ajror të ushtrisë izraelite në katin e katërt të spitalit “Nasser” në Khan Younis, Rripin e Gazës. Pavarësisht se ka vrarë 244 gazetarë në Gaza që nga 7 tetori 2023, ushtria izraelite mori përgjegjësinë për sulmin dhe pretendoi se “nuk ka shënjestruar gazetarët”.
Në sulm humbën jetën fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa,; gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.