Raundi i ri i bisedimeve të paqes Azerbajxhan-Armeni do të mbahet në Uashington

Raundi i ri i bisedimeve të paqes Azerbajxhan-Armeni do të mbahet në Uashington

Armenia dhe Azerbajxhani do të mbajnë një raund të ri bisedimesh në Uashington të dielën në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme armene.

Tensionet mes dy vendeve po rriten sërish për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, ku paqeruajtësit rusë u vendosën në vitin 2020 për t’i dhënë fund luftës, e dyta midis dy vendeve mbi enklavën që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991.

Ky rajon malor njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është i banuar kryesisht nga armenë.

“Nga data 30 prill, Ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan, do të jetë në Uashington për një vizitë pune.

Është planifikuar një raund i ri bisedimesh për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, shkroi zëdhënësja Ani Badalyan në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Nuk ka pasur konfirmim zyrtar për takimin nga Azerbajxhani. Pavarësisht përpjekjeve për vite me rradhë, Armenia dhe Azerbajxhani nuk kanë arritur ende një marrëveshje paqeje, e cila do të zgjidhte çështje të tilla si demarkacioni i kufirit dhe kthimi i të burgosurve.

Azerbajxhani vendosi një pikë të re kontrolli të dielën e kaluar në rrugën për në Karabakh,  Korridorin Lachin,  një veprim që Armenia e quajti shkelje flagrante të armëpushimit të vitit 2020.

MARKETING