Rashid el-Ganushi: 1000 ditë për lirinë, me lejen e Allahut (InshAllah)
Shkruan: Rashid el-Ganushi – nga burgu i Mornagias, Tunizi
MESAZHI I PROFESOR RASHID EL-GANUSHI NGA BURGU I MORNAGIAS PAS 1000 DITËSH NGA ARRESTIMI I TIJ
Unë jam i qetë dhe i bindur se jemi në të drejtë dhe se çështja e lirisë kurrë nuk ka qenë kaq e qartë sa sot. Kjo sprovë është shndërruar në një kriter matës për shkallën e përkushtimit të palëve të ndryshme ndaj parimeve të demokracisë dhe qytetarisë. Despotizmi dhe përjashtimi janë dy anë të së njëjtës monedhë. Lëvizja “Nahda”, që nga themelimi i saj, nuk ka vendosur kurrë “veto” ndaj asnjë partie, qoftë brenda vendit apo jashtë tij.
Ne nuk protestuam kundër Burgibës ditën kur ai njohu Partinë Komuniste dhe i mundësoi asaj rikthimin e licencës ligjore, ndonëse po atë ditë ai ndërmori një fushatë arrestimesh ndaj drejtuesve të Nahdas. Kjo sepse, nga këndvështrimi ynë, gabimi nuk qëndronte në njohjen e një pale politike, por në arrestimin e një pale tjetër. Ne besojmë se liria ka hapësirë për të gjithë.
Parimet nuk i humbasin mbështetësit e tyre, edhe nëse në planin afatshkurtër duket e kundërta. Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë” (Zuhruf: 43). Po ashtu, Ai thotë: “Thuaj: Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu” (Teube: 51). Dhe Ai i ka qetësuar robërit e Tij duke thënë se: “…ata nuk do të kenë arsye për tu frikësuar dhe as për tu dëshpëruar” (Junus: 62). Ata nuk do të kenë frikë nga e ardhmja dhe nuk do të pikëllohen për atë që ka kaluar. Këtë kuptim e ka përforcuar edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kur ka thënë: “Çështja e besimtarit është e habitshme. Në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Kjo i ndodh vetëm besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falenderon dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kështu është mirë për të”.
Janë vetëm disa ditë të numëruara, dhe ne kemi mësuar se: “Allahu i jep afat tiranit (shtypësit), por kur e kap, nuk i shpëton dot.” Historia e popullit tonë na ka mësuar se ai duron padrejtësinë, por e grumbullon zemërimin derisa kupa mbushet, e kur ajo derdhet, ai ngrihet në një shpërthim të vetëm, me të cilin e thyen tiraninë. Bindja dhe besimi ynë është se kjo orë po vjen dhe, me lejen e Allahut, ajo do të vijë shpejt, jo vonë.
Prandaj, gëzohuni, o luftëtarë për liri dhe dinjitet, ju që mbani në duar prushin e rezistencës paqësore për një Tunizi të lirë, një Tunizi për të gjithë bijtë e saj! Ju që luftoni për një Tunizi që i përgjigjet aspiratave të popullit të saj për dinjitet dhe krenari.
Duroni, o luftëtarë, për atë që ju godet, sepse është vetëm durimi i një çasti. Ruajeni unitetin tuaj, flakni pas krahëve mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe bashkohuni për ta shpëtuar Tunizinë nga shembja.
Përshëndetje për çdo përkrahës të së vërtetës, përshëndetje për çdo luftëtar të lirisë, përshëndetje për të gjithë të burgosurit e mendimit, përshëndetje për familjet tona në Palestinë.
“Vërtet, afati i tyre është agimi i ditës. Vallë e a nuk është afër agimi I ditës?” (Hud: 81)
“Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf: 21)
——————————————————————————————
Por kush është Rashid Ganushi?
Rashid Ganushi, i lindur në vitin 1941 në qytetin El-Hamma, në jug të Tunizisë, përfaqëson një nga figurat më emblematike të mendimit islam dhe të veprimit politik në Tunizinë bashkëkohore. I formuar intelektualisht ndërmjet hapësirës kulturore arabe dhe universiteteve evropiane, ai arriti të ndërthurë filozofinë moderne perëndimore me traditën normative islame.
Ganushi artikuloi një projekt reformues të islamit politik, i cili pranoi demokracinë përfaqësuese, pluralizmin politik dhe liritë publike si parime themelore të rendit shoqëror. Nën drejtimin e tij, Lëvizja En-Nahda kaloi nga një forcë opozitare e përndjekur në një aktor politik pjesëmarrës në pushtet pas Pranverës Arabe, duke privilegjuar konsensusin kombëtar dhe shmangien e përplasjes shoqërore.
Mendimi i Ganushit ushtroi ndikim të gjerë në botën islame, veçanërisht përmes konceptit të “bashkëveprimit paqësor” si alternativë ndaj logjikës së konfliktit dhe konfrontimit. Megjithëse ai kontribuoi ndjeshëm në ndërtimin e përvojës demokratike tuniziane, përfundimisht u burgos nga i njëjti shtet që synoi ta reformonte.
Trashëgimia e tij intelektuale dhe politike pritet të ruajë peshë dhe ndikim përtej ciklit të veprimit të tij politik.

