Raportuesja e OKB-së për Palestinën: Nuk na ka mbetur shumë kohë për të shpëtuar palestinezët

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese deklaroi se shteti izraelit do të vazhdojë dhunën kundër palestinezëve për sa kohë që ai nuk do të ndalohet dhe se nuk ka mbetur shumë kohë për të shpëtuar popullin palestinez.
Në qytetin Pantin një periferi e Parisit të Francës, në datat 5-6 prill u mbajt një aktivitet dyditor mbi Palestinën. Albanese mori pjesë në këtë aktivitet ku në sesione të ndryshme u diskutuan çështje si, gjenocidi në Gaza, spastrimi etnik, kolonializmi në Palestinë dhe dhuna që zbatohet nën sundimin kolonial.
Në një deklaratë për Anadolu, Albanese tha se grupeve pro-izraelite që duan t’i japin fund detyrave të tyre në OKB nuk duhet t’u kushtohet shumë rëndësi. “Kjo është puna e tyre. Ata paguhen për këtë”, tha ajo.
Duke kujtuar se Izraeli ka shkelur armëpushimin që filloi me Hamasin në janar dhe ka vrarë afro 100 persona në Gaza, Albanese tha se nuk ishte e befasuar nga shkelja e përsëritur e armëpushimit nga qeveria e Tel Avivit.
– “Izraeli do të vazhdojë dhunën kundër palestinezëve për sa kohë që ai nuk do të ndalohet”
Raportuesja e OKB-së për Palestinën, Albanese theksoi se Izraeli nuk ka ndërmend të ndalet për shumë arsye.
“Sepse (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu do të jetë objektivi i drejtësisë kur të ndalojë luftën kundër palestinezëve. Ju mund të keni vënë re se Netanyahu duhej të dilte në gjyq një ditë pasi urdhëroi sulm të ri ndaj popullit të Gazës. Pra pyetja është, a kishte një lidhje? Ndoshta”, tha Albanese.
Ajo e përshkroi si “të tmerrshëm” tapetin e kuq që po shtrohet për Netanyahun dhe pritjen e bërë ndaj tij jashtë Izraelit.
“Unë mendoj se shteti izraelit do të vazhdojë dhunën e tij kundër palestinezëve për sa kohë që ai nuk do të ndalohet”, tha Albanese e cila shtoi se pjesa e qeverisë izraelite e përbërë nga “kolonialistët ideologjikë” dëshiron të aneksojë Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Nuk na ka mbetur shumë kohë për të shpëtuar palestinezët”, nënvizoi Albanese e cila shtoi se ka parë një disfatë të njerëzimit në Gaza.
– “Ligji ndërkombëtar na thotë se çfarë duhet të bëjmë; t’i jepet fund pushimit, t’i jepet fund gjenocidit”
“Në këtë periudhë historike, kur Evropa është e dobët dhe SHBA-ja po sillet në mënyrë agresive, zyrtarët e Tel Avivit e shohin si një mundësi për të vazhduar uzurpimin e territoreve në Palestinë dhe Lindjen e Mesme”, tha Albanese duke thënë se “Sulmet ndaj Libanit dhe Sirisë vazhdojnë. Do të ishte çmenduri të mendosh se Izraeli do të ndalet këtu”.
Sipas saj, ndalimi i Izraelit është i mundur brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar. “Ligji ndërkombëtar na thotë se çfarë duhet të bëjmë; t’i jepet fund pushtimit, t’i jepet fund gjenocidit, t’i jepet fund aparteidit. Por, mjeti tjetër themelor që nevojitet për këtë është vullneti i shteteve dhe që kjo nuk ekziston”, tha Albanese.
Duke thënë se po përjetohet një proces në të cilin gjenocidi në Gaza po përshpejtohet për të përfunduar planin e spastrimit etnik në Palestinë, Albanese tha se “Është e qartë se Izraeli dëshiron tokat nga Mesdheu deri në lumin Jordan për të vendosur sovranitetin e popullit hebre. Ata po e shprehin këtë”.
Raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Albanese rikujtoi se hebrenjtë evropianë nuk e ndienin veten të sigurt në këtë kontinent gati një shekull më parë dhe tha se palestinezët vazhdojnë të paguajnë çmimin e antisemitizmit të evropianëve në atë kohë.