Raporti i Gallup: Kosova e para në Evropë për ligj dhe rend

Raporti i Gallup: Kosova e para në Evropë për ligj dhe rend

Kosova është renditur e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend në raportin e organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, transmeton Anadolu.

Sipas Raportit të Gallup, Kosova është vlerësuar me 94 pikë nga gjithsej 100 në Indeksin për Ligj dhe Rend.

Kësaj arritje i është gëzuar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë me një nga rezultatet më të larta për ligjin dhe rendin.

“Sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 të Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për ligj dhe rend, si dhe në dhjetëshen e parë në botë për sigurinë gjatë ecjes vetëm natën. Kjo është një shenjë e shkëlqyer që qytetarët tanë po gëzojnë një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme, dhe pasqyron forcën e institucioneve tona”, shkroi Kurti në rrjetin social amerikan X.

Gjatë vitit të kaluar, në Indeksin për Ligj dhe Rend në raportin e organizatës amerikane Gallup, Kosova ishte vlerësuar me 91 pikë.

MARKETING