Rama zbulon letrën ia ka dërguar Macronit dhe Scholzit për Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për medie ka deklaruar se për aq kohë sa tre policët e Kosovës nuk lirohen është i pamundur përparimi në dialog apo depërshkallëzimi i situatës në veri.
Ai ka bërë me dije një letër të dytë presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel për zbatimin me doemos të planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Serbi.
“Dua t’iu informoj se pardje i kam nisur një letër të dytë, pas asaj të draft-statutit presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, për dijeni edhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re, konkrete, të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që plani franko-gjerman të zbatohet me doemos”, ka thënë Rama.
Më tutje, Rama ka paralajmëruar se klima e tensionit po rritet me orë “duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në Veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”.
“Po rritet me orë klima e tensionit, duke rrezikuar përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë çka do të ishte një katastrofë, mes së cilës do përfshihej KFOR-i”, ka thënë Rama.