Rama sqaron deklaratën në samit: Ishte një shaka miqësore, jo deklaratë politike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas jehonës që mori një deklaratë e tij gjatë një samiti ndërkombëtar, ku u përmend edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump.
Rama tha se një fjali e thënë me humor, në frymën e miqësisë, u kthye në titull botëror, ndërsa thelbi i samitit dhe diskutimet reale u lanë në hije.
“Ishte një moment i mirë mes miqve, me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe presidentin francez, Emmanuel Macron. Thjesht përmenda me shaka një lapsus të ish-presidentit Trump, që edhe Shqipëria paska bërë paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që Emmanuel punoi gjatë për të sjellë paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë,” tha Rama.
Ai shtoi se nuk kishte asnjë prapavijë politike, por vetëm një moment humori.
“Kjo nuk duhet të shndërrohet në helm politik. E vërteta është se presidenti Trump ka qenë një lider që e riktheu fjalën ‘paqe’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh, dhe në kohë të shkurtër arriti marrëveshje paqeje aty ku të tjerët kishin dështuar,” theksoi Rama.
Kryeministri shtoi se ai dhe miqtë e tij, Aliyev e Macron, në atë moment ishin mes njerëzve që e admirojnë punën e ish-presidentit amerikan.