Rama: Pezullimi i Ballukut, këmbanë alarmi
Kryeministri Rama i është rikthyer edhe këtë të diel çështjes “Balluku” duke sqaruar nga podcast-i i tij arsyet e ankimimit të bërë në Gjykatën Kushtetuese, të cilin refuzon ta cilësojë një betejë politike me drejtësinë.
“Nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvënie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo. Ky veprim, që de jure quhet pezullim, por de facto është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash.”
Dhe një nga pasojat, krahas punëve të lëna në mes, Rama thotë se janë edhe dy vakancat që janë krijuar në ARRSH dhe KESH pas pezullimit të Ballukut dhe dy vartësve të saj, Gjyli dhe Elezi, që akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas tij, të dy këto emërime janë kompetencë e zv.kryeministres Balluku, e cila nuk mund të firmosë pas vendimit të GJKKO.
“Pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtpërdrejt me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit, edhe të drejtën e këtyre emërtesave.”
Rama thotë se ky reagim i tij nuk është aspak ndërhyrje në punët e drejtësisë, por njëherazi nuk heziton ta etiketojë këmbanë alarmi që nuk duhet përsëritur kurrë.
“Këtë devizë ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një këmbanë alarmi që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar.”
Në podcast-in e të dielës, kryeministri foli edhe për aksionin e lirimit të hapësirave publike, që sipas tij u kanë kthyer qytetarëve 100 mijë metra katrorë hapësirë publike, të zaptuar më herët në mënyrë të kundërligjshme.

