Rama: Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutë kundër padrejtësive në Hagë, Shqipëria do ta përkrah menjëherë

Rama: Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutë kundër padrejtësive në Hagë, Shqipëria do ta përkrah menjëherë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë mbështetje për protestën e mbajtur sot nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kritikuar heshtjen e institucioneve të Kosovës përballë padrejtësive që, sipas tij, po ndodhin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama shprehu habinë pse Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërmarrë ende hapa institucionalë në formën e një rezolute që të dënojë shkeljet e të drejtave të Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Vazhdoj të pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute, pa dallime partish, për sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij janë shqelmuar prej vitesh si hiçasgjë?!”, shkroi Rama.

Ai premtoi se, në rast se Kuvendi i Kosovës do ta miratonte një rezolutë të tillë, Shqipëria do ta përkrahte menjëherë në Kuvendin e saj, duke e çuar këtë qëndrim përpara edhe në arenën ndërkombëtare.

“Ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, theksoi ai.

MARKETING