Rama: Konjufca ndryshe foli brenda, ndryshe jashtë – unë flisja, ai qeshte, por asnjë fjalë s’e kemi folur për draftin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron sot për vizitë në Malin e Zi.
Ai atje ka folur edhe për vizitën që kishte dje në Kosovë.
Duke folur për takimin që kishte me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Rama tha se nuk kanë diskutuar aspak për draftin e propozuar nga ana e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Me Glaukun kam kaluar aq mirë. Nuk bëhet fjalë për lëndim. Nga takimi dola me pozitivitet. Ai gjëra të tjera foli brenda, gjëra të tjera dhe për këtë duhet ta pyesni atë”, është shprehur Rama.
“Unë flisja, Glauku qeshte dhe nuk e kemi folur asnjë fjalë për draftin. Duhet ta pyesni Albinin pse Glauku i tha ato jashtë. Glauku s’di çka është drafti, Glauku do të flasë para kamerave ato për të cilat është konsultuar me Albinin”, u është drejtuar Rama gazetarëve, kur është pyetur për deklaratën e Konjufcës për “raportet e lënduara”.
Tutje kryeministri shqiptar ka folur edhe për mostakimin me Kurtin.
“Ai i ka arsyet e veta nuk dua të bëjë interpretim. Ai është në një botë tjetër në këtë moment. E kuptoj sikletin e asaj bote. Kjo bota ku jam unë është më e madhe se ajo bota ku është Albini. Këtu janë të gjithë aleatët dhe Albini është shkëputur dhe është futur në botë të mbyllur”, ka thënë Rama.