Rama: Evropa ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Evropën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Evropa ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Evropën, transmeton Anadolu.
Rama ka folur për një media spanjolle mbi disa çështje, përfshirë emigracionin, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, politikat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si dhe çështje të tjera.
“Evropa do t’i bëjë një nder vetes duke integruar Ballkanin. Jemi në zemër të kontinentit dhe jemi i vetmi realitet në historinë e kufijve dhe hartave me një kufi të dyfishtë… një të jashtëm dhe një të brendshëm, dhe brenda këtij kufiri të brendshëm ndodhet Ballkani, ndaj duhet të jemi pjesë e BE-së. Përndryshe, të tjerët do të përfitojnë nga mundësia dhe do ta fitojnë atë hapësirë. Unë nuk mendoj se Bashkimit Evropian (BE) i pëlqen të ketë fuqi të tjera brenda territorit të tij”, është shprehur Rama.
I pyetur nëse presidenti Trump do të jetë një faktor në nxitjen e integrimit të mëtejshëm të BE-së, Rama tha se, “Zoti e shpëtoi Donald Trumpin për të zgjuar Evropën. Pra, nëse është kështu, Trump është një bekim për Evropën në kuptimin që Evropa ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë dhe të bëhet shumë më e vetëdijshme, se nevoja për ndryshim nuk mund të shtyhet çdo vit, pasi përndryshe Evropa do të jetë më pak e rëndësishme. Evropa mund dhe duhet të jetë një fuqi e madhe dhe për ta bërë këtë duhet të ndryshojë dhe të bëhet e vetëmjaftueshme”.
Duke folur për cështjen e emigracionit, Rama tha se Italia nuk transferon emigrantë, por sipas tij thjesht kërkon të përdorë dy qendra që ka në Shqipëri për t’i përpunuar para se të hyjnë në BE dhe të vendosë se kush i respekton procedurat dhe kush jo.
“Italisë i kemi dhënë vetëm këto dy vende (qendra) me karakter ekstraterritorial për pesë vjet. Ata e përdorin atë dhe bëjnë atë që duan. Vende të tjera evropiane po planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë si Shqipëria, madje edhe administrata e Donald Trumpit po bën diçka të ngjashme. Ata mund ta planifikojnë atë, por jo me Shqipërinë, pasi e bëmë me Italinë për arsye historike, por edhe sepse gjeografia e lejon”, tha Rama, duke folur mbi marrëveshjen Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve.
Në lidhje me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama u shpreh se negociatat po ndjekin kursin e përcaktuar në udhërrëfyes, i cili sipas tij është i njëjtë për të gjitha vendet.
Pyetjes si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë për momentin, Rama i është përgjigjur se “nuk kemi marrëdhënie”.
“Ne jemi i vetmi vend në Evropë, që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1990, që nuk kemi pasur asnjë vizitor në Moskë dhe nuk kemi pasur kurrë një mysafir nga Moska. E kam fjalën në nivelin më të lartë”, tha ai.
Kryeministri shqiptar ka folur edhe për luftën Rusi-Ukrainë, duke shtuar se është shumë e rëndësishme të arrihet paqja, sipas tij, një paqe e drejtë.