Rama: Do të jemi vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në Zall Herr, folën mbi prezantimin e arritjeve dhe sfidat e të ardhmes në fushën e mbrojtjes.
Ai theksoi se do kemi në fokus qëllimin e të qenurit një vend eksportues i prodhimeve ushtarake. Më tej, shton me rëndësi është shfrytëzimi i industrisë mbrojtëse për krijimin e një baze për të rinjtë, duke iu plotësuar kërkesat e tyre.
“Ne do të jemi një vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade, ky është qëllimi. Jemi në rrugën e realizimit duke parë sesi po ecin diskutimet me kompani të mëdha të ekselencës botërore që duan të na bashkohen në këtë aventurë të re.
Qëllimi ynë është të shfrytëzojmë industrinë mbrojtëse për të krijuar një bazë tërheqëse për vajza dhe djem të talentuar, profesionistë që jo vetëm të mos largohen nga vendi, por dhe të kthehen nga jashtë duke kontribuar në këtë industri. Do të kenë paga dinjitoze, të arsyeshme për kërkesat e tyre”, tha ai.
Rama ka nënvizuar dhe faktin se duhet bërë një hap i rëndësishëm edhe në aspektin e pronave të ushtrisë.
“Për një kohë të gjatë ushtria shqiptare është zhveshur nga shumë prona në mënyrë spontane, kaotike, ndërsa sot ushtria shqiptare disponon ushtri të fjetura që janë aty dhe nuk vihen në punë. Ministria e Mbrojtjes duhet të bëhet qendër edhe e këtij aspekti, pra ai i zhvillimit të pronave të cilat nuk do përdoren nga Forcat e Armatosura për qëllime ushtarake por të cilat janë të Forcave të Armatosura.
Duke ndërtuar siç bëjnë të gjitha vendet e NATO-s, duke ndërtuar partneritete edhe në këtë drejtim , në mënyrë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të mund të marrin të ardhura, pasi ushtria sot kërkon shumë para dhe të gjithë po rrisin buxhetet”, tha kryeministri Rama.