Qyteti i Barcelonës ndërpret marrëdhëniet institucionale me Izraelin, i quan “çnjerëzore” ngjarjet në Gaza

Qyteti i Barcelonës ndërpret marrëdhëniet institucionale me Izraelin, i quan “çnjerëzore” ngjarjet në Gaza

Këshilli i Qytetit të Barcelonës në Spanjë i ka quajtur ngjarjet në Gaza “çnjerëzore” dhe ka vendosur të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet institucionale me Izraelin, raporton Anadolu.

Këshilli i Qytetit të Barcelonës ka miratuar një vendim për të “ndërprerë të gjitha marrëdhëniet institucionale me Izraelin derisa të respektojë të drejtën ndërkombëtare” dhe për të “pezulluar marrëveshjen e binjakëzimit të qyteteve Barcelonë-Tel Aviv”.

Vendimi, i cili i quan ngjarjet në Gaza si “çnjerëzore”, u mbështet nga Partia Socialiste e Katalonjës (PSC), Comuns dhe E Majta Republikane e Katalonjës (ERC), ndërsa partitë e krahut të djathtë abstenuan.

Në tekstin e vendimit thuhet po ashtu: “Barcelona ndalon punën e saj me kompanitë proizraelite, nuk lejon stendat izraelite në Panairin e Barcelonës, vendos një embargo armësh dhe ndalon anijet që transportojnë armë për qeverinë izraelite të ankorohen në Portin e Barcelonës”.

Bashkia e Barcelonës dënoi vrasjen “e mijëra viktimave në Gaza dhe bllokadën e ndihmës humanitare, zgjerimin e vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor, aneksimin e territoreve palestineze, zhvendosjen me forcë të popullsisë dhe prishjen sistematike të shtëpive”.

Qeveria lokale e administratës autonome të Katalonjës vendosi javën e kaluar të mbyllë zyrat e saj të marrëdhënieve me jashtë dhe përfaqësuese tregtare në Tel Aviv në shenjë proteste ndaj operacioneve ushtarake të vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.

MARKETING