Qytetet evropiane kërkojnë turizëm të qëndrueshëm deri në vitin 2050

Qytetet evropiane kërkojnë turizëm të qëndrueshëm deri në vitin 2050

Deri në vitin 2050, qytetet evropiane synojnë të zhvillojnë një turizëm të balancuar që ruan ekuilibrin mes qëndrueshmërisë, përfitimeve ekonomike dhe mirëqenies sociale. Ky ishte mesazhi kryesor Forumit Global të Turizmit, ku përfaqësues nga e gjithë bota diskutuan për sfidat e rritjes së shpejtë të sektorit tê turizmit, sipas “Euronews”.

Sipas Eleonora Orso nga rrjeti “Eurocities”, qytete si Venezia dhe Barcelona po përjetojnë një “monokulturë ekonomike”, ku bizneset e qendrave urbane shërbejnë më shumë për turistët sesa për banorët.

Evropa mirëpriti gati 340 milionë turistë ndërkombëtarë në gjysmën e parë të vitit 2025, një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar. Franca dhe Spanja mbeten destinacionet më të vizituara, dhe parashikimet tregojnë se Spanja mund të tejkalojë Francën deri në vitin 2034.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e numrit të vizitorëve nuk është gjithmonë lajm i mirë nëse dëmton cilësinë e jetës lokale apo mjedisin urban.

“Produkti në turizëm është vetë destinacioni”, tha Sabine Wendt, drejtore e “visitBerlin”. Sipas saj, nëse qytetet shkatërrohen nga pikëpamja sociale ose mjedisore, ato humbasin edhe vlerën turistike.

Shumë qytete, nga Lisbona deri në Athinë, po përballen me pasoja të turizmit masiv, si çmime të larta të banesave, ndotje dhe mbipopullim që e bëjnë jetesën më të vështirë për vendasit.

Përfaqësuesit e qyteteve kërkuan që politikat e turizmit të integrohen me strategjitë urbane, duke përfshirë transportin, banesat dhe zhvillimin ekonomik.

Qasja e re synon të tërheqë “vizitorët e duhur” në vend që të kërkojë vetëm rritje numerike. Kjo, sipas Patrick Bontinck nga “visit.brussels”, do të sigurojë një turizëm afatgjatë që i shërben si qytetit, ashtu edhe ekonomisë.

Sipas të dhënave të OKB-së për Turizmin, kostot e larta të transportit dhe akomodimit janë sfidat më të mëdha aktuale, ndërsa inflacioni në turizëm mbetet më i lartë se ai i përgjithshëm.

Përveç sfidave ekonomike, pasiguria politike dhe tensionet gjeopolitike po ndikojnë në besimin e udhëtimeve, duke nxitur kërkesa për një qasje më të qëndrueshme dhe bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat.

Në këtë kuadër, Komisioni Evropian po përgatit një strategji të përbashkët për turizmin e qëndrueshëm, që pritet të prezantohet në fillim të vitit 2026.

Plani synon të bëjë sektorin më konkurrues, rezistent dhe miqësor me mjedisin, duke trajtuar mbipopullimin, përmirësuar shërbimet dixhitale dhe promovuar udhëtimet ndërkufitare brenda BE-së.

MARKETING