Qeveria pro-ruse gjeorgjiane pezullon negociatat me BE-në, shpër’thejnë prot’estat në Tbilisi
Partia pro-ruse qeverisëse e Gjeorgjisë njoftoi sot se vendi do të pezullojë deri në vitin 2028 negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe do të refuzojë fondet evropiane. Kjo ka shkaktuar protesta në disa qytete gjeorgjiane.
Në një deklaratë për shtyp, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” akuzoi BE-në për “fyerje” dhe për përdorimin e negociatave të anëtarësimit për “shantazh” dhe “organizim të një revolucioni në vend”.
“Ne kemi vendosur që deri në fund të vitit 2028 të mos e vendosim në rendin e ditës çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu refuzojmë çdo fond buxhetor nga Bashkimi Evropian deri në fund të vitit 2028”, thuhet në njoftim.
Kjo ka bërë që të mbahen protesta kundër qeverisë që mbështetet nga Kremlini në shumë qytetet duke përfshirë edhe kryeqytetin Tbilisi.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare të zhvilluara javë më parë janë dënuar gjerësisht shkaku i parregullsive të mëdha ndërsa Brukseli ka kërkuar që ato të përsëriten nën mbikëqyrjen ndërkombëtare brenda një viti, shkruan euronews.
Parlamenti Evropian ka mbështetur një hetim ndërkombëtar të pavarur mbi akuzat për manipulim elektoral në Gjeorgji, duke i kërkuar BE-së dhe shteteve anëtare të vendosin sanksione personale ndaj zyrtarëve gjeorgjianë dhe liderëve politikë që janë përgjegjës për shkeljet e ligjit zgjedhor dhe keqpërdorimin e institucioneve shtetërore.
Ndërhyrja e Rusisë në proceset demokratike të Gjeorgjisë, duke përfshirë përpjekjet për të përhapur teorinë e konspiracionit të “Partisë së Luftës Globale” – e cila pretendon në mënyrë të rreme se opozita do ta çonte vendin në luftë me Rusinë nën urdhrat perëndimore – është theksuar si një faktor kryesor destabilizues në vendin e Kaukazit Jugor. /Telegrafi/