Qeveria holandeze drejt kolapsit, partia e ekstremit të djathtë tërhiqet nga koalicioni qeveritar

Lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, ka vendosur të largohet nga koalicioni qeveritar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e emigracionit, sipas mediave kolandeze.
Wilders kishte kërcënuar të hënën se do të tërhiqte partinë e tij, PVV (Partia për Liri), nga koalicioni qeverisës nëse partnerët e tij nuk do të mbështesnin planet e tij për të shtrënguar politikën ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve.
MARKETING
PVV është partia më e madhe në parlamentin holandez dhe largimi i saj nga koalicioni qeverisës ka të ngjarë të çojë në rrëzimin e qeverisë dhe ndoshta në zgjedhje të reja.
“Situata nuk është e mirë”, tha Wilders mbrëmë pas bisedimeve emergjente që ai i përshkroi si “të pakëndshme”.
Liderët e katër partive në koalicionin qeverisës pritej të rifillonin konsultimet e tyre këtë mëngjes. Në fund të majit, Wilders mbajti një konferencë të papritur për shtyp për të deklaruar se durimi i tij po sosej dhe kërcënoi se do të rrëzonte koalicionin qeverisës nëse plani i tij për të frenuar imigracionin nuk zbatohej brenda pak javësh.
Plani përfshin kryesisht mbylljen e kufijve holandezë për azilkërkuesit, shtrëngimin e kontrolleve kufitare dhe deportimin e personave me shtetësi të dyfishtë dhe atyre që kanë kryer një krim.
Lideri i ekstremit të djathtë ka kërcënuar vazhdimisht se do të largohet nga qeveria e koalicionit në të kaluarën, por deri më tani qeveria nën kryeministrin Dick Schoff ka arritur të mbijetojë.
Analistët politikë i kanë kritikuar propozimet e PVV-së, duke i quajtur ato të papërgjegjshme ose të paligjshme, ndërsa disa kanë thënë se Wilders thjesht po përpiqet të krijojë një krizë me qëllim rrëzimin e qeverisë.
Në zgjedhjet e fundit në vitin 2023, PVV fitoi 37 vende në parlament nga një total prej 150.
Sondazhet e fundit tregojnë se popullariteti i partisë ka rënë pak, megjithëse është ende midis tre vendeve të para në preferencat e votuesve, së bashku me VVD-në liberale dhe partinë e majtë Laburiste/Të Gjelbër.