Putini: Zhvillimi i triadës bërthamore një prioritet absolut
Presidenti rus Vladimir Putin, në një mesazh sot me rastin e Ditës së Mbrojtësve të Atdheut, e përshkroi zhvillimin e triadës bërthamore si një përparësi absolute, transmeton Anadolu.
“Zhvillimi i triadës bërthamore, i cili shërben si garanci për sigurinë e Rusisë dhe siguron në mënyrë efektive parandalimin strategjik dhe ekuilibrin e fuqisë në botë, mbetet përparësi absolute”, tha ai në një mesazh urimi.
Putini theksoi se Rusia do të vazhdojë të forcojë ushtrinë dhe marinën e saj, “duke marrë parasysh zhvillimet në situatën ndërkombëtare, bazuar në përvojën luftarake të fituar gjatë operacionit special ushtarak” në Ukrainë.
Ai shtoi se Rusia do të rrisë “ndjeshëm” aftësitë e degëve të tjera të Forcave të Armatosura, duke rritur gatishmërinë e tyre luftarake, lëvizshmërinë dhe aftësinë për të vepruar në të gjitha kushtet, madje edhe më sfidueset.
“Dhe sigurisht, ne do të përshpejtojmë zhvillimin e sistemeve të përparuara për Forcat e Armatosura”, shtoi ai.
Dita e Mbrojtësve të Atdheut, e cila shënohet më 23 shkurt në Rusi, nderon personelin ushtarak dhe veteranët.

