Putin zhvillon telefonatë me Trumpin për të diskutuar mbi Iranin dhe negociatat për Ukrainën
Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, për të diskutuar konfliktin në Iran dhe negociatat trilaterale me Ukrainën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Tass, transmeton Anadolu.
Ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, u tha gazetarëve se telefonata u iniciua nga Trump dhe zgjati rreth një orë, duke e quajtur bisedën “profesionale, të sinqertë dhe konstruktive”.
“Fokusi, natyrisht, ishte te situata rreth konfliktit me Iranin dhe negociatat trilaterale në vazhdim për një zgjidhje në Ukrainë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të SHBA-së”, tha ai.
Sipas Ushakovit, Trump përsëriti interesin e tij për një armëpushim të shpejtë dhe një zgjidhje afatgjatë në Ukrainë.
Dy liderët diskutuan gjithashtu për Venezuelën dhe shprehën gatishmërinë për të mbajtur komunikime të rregullta, tha ai.

