Putin takon të dërguarin amerikan Witkoff disa ditë para afatit të armëpushimit të vendosur nga Trump

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pritur në takim në Moskë, Steve Witkoff-in, të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, vetëm dy ditë para afatit të fundit që Moska të arrijë një armëpushim në Ukrainë ose të përballet me sanksione të reja, transmeton Anadolu.
Takimi midis Putinit dhe Witkoff-it u njoftua nga Kremlini në një deklaratë, por nuk u dhanë detaje të menjëhershme mbi bisedimet. Më vonë, Kremlini lëshoi një video të presidentit rus dhe të të dërguarit amerikan duke shtrënguar duart.
Witkoff mbërriti në Moskë sot më herët duke shënuar vizitën e tij të pestë në Rusi që nga fillimi i vitit, me dy vizitat e tij të fundit në muajin prill gjatë të cilave ai gjithashtu u takua me presidentin Putin.
Vizita zhvillohet dy ditë para përfundimit të afatit 10-ditor të vendosur nga presidenti Trump për Rusinë për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, i caktuar për këtë të premte.
Në muajin qershor, Trump i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh, pas së cilës ai kërcënoi se do të vendosë detyrime importi deri në 100 për qind për Rusinë dhe partnerët e saj tregtar nëse Moska dhe Kievi nuk arrijnë një marrëveshje.
Më 29 korrik, presidenti amerikan njoftoi se ka vendosur ta ulë këtë afat në 10 ditë për shkak të “zhgënjimit” të tij me homologun e tij rus.