Putin i thotë Trumpit se transferimi i mundshëm i raketave ‘Tomahawk’ në Ukrainë do të dëmtojë marrëdhëniet Rusi-SHBA

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një telefonatë i tha homologut të tij amerikan, Donald Trump, se dërgesat e mundshme të raketave lundruese ‘Tomahawk’ me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë do të dëmtojnë lidhjet midis Moskës dhe Washingtonit, transmeton Anadolu.
“Putin përsëriti tezën e tij se raketat ‘Tomahawk’ nuk do të ndryshojnë situatën në fushën e betejës, por do të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në marrëdhëniet midis vendeve tona, për të mos përmendur perspektivat për një zgjidhje paqësore (në Ukrainë)”, u tha ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, gazetarëve në një konferencë për media.
Duke theksuar se biseda gati dy orë e gjysmë ishte “shumë substanciale, por edhe jashtëzakonisht e sinqertë dhe konfidenciale”, Ushakov tha se theks i veçantë gjatë bisedimeve iu vu luftës në Ukrainë, në të cilat Putin i dha Trumpit një “vlerësim të detajuar të situatës aktuale”.
Ushakov tha se SHBA-së iu tha se Moska ka “iniciativë të plotë strategjike” përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.
“Një nga pikat kryesore të presidentit amerikan ishte se përfundimi i konfliktit në Ukrainë do të hapte perspektiva të mëdha, e theksoi ai, për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis SHBA-së dhe Rusisë”, shtoi ai.
Ndihmësi presidencial rus gjithashtu tha se të dy presidentët diskutuan mundësinë e mbajtjes së një takimi tjetër ballë për ballë dhe ranë dakord që përfaqësuesit e të dyja palëve të fillojnë menjëherë përgatitjet për një samit, me kryeqytetin hungarez Budapestin si një vend të mundshëm.