Putin: Cilësitë udhëheqëse të Trumpit janë “bazë e mirë” për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe

Presidenti rus, Vladimir Putin, është shprehur se që kur homologu i tij amerikan, Donald Trump, mori detyrën në Washington “filloi të shfaqet drita në fund të tunelit për marrëdhëniet ruso-amerikane” dhe se cilësitë udhëheqëse të Trumpit janë një “bazë e mirë” për rivendosjen e lidhjeve midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Duke folur në një takim me përfaqësuesit e sektorit bërthamor rus në qytetin Sarov, Putin e përshkroi takimin e 15 gushtit me Trumpin si “substancial dhe të sinqertë” që shënoi fillimin e një rivendosjeje të plotë të marrëdhënieve.
“Shpresoj shumë që hapat e parë që janë bërë janë vetëm fillimi i një rivendosjeje gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve tona. Por kjo nuk varet nga ne, varet mbi të gjitha nga partnerët tanë perëndimor në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse edhe SHBA-ja është e detyruar nga obligime të caktuara brenda shoqatave të ndryshme, përfshirë bllokun e Atlantikut të Veriut”, tha Putin.
Putin tha se varet nga udhëheqja e SHBA-së nëse do të ketë hapa të mëtejshëm që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Washingtonit.
Pas samitit, theksoi ai, kontaktet midis Rusisë dhe SHBA-së vazhdojnë në nivelin e ministrive dhe kompanive.