Putin: Bisedimet për furnizimin e raketave Tomahawk në Ukrainë janë “përpjekje për përshkallëzim”

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se bisedimet mbi furnizimin e mundshëm në Ukrainë të raketave lundruese Tomahawk me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja janë një “përpjekje për përshkallëzim”, transmeton Anadolu.
“Kjo është një përpjekje për përshkallëzim, por nëse të gjitha sulmet në territorin rus kryhen me armë të tilla, përgjigja do të jetë shumë e fortë, nëse jo dërrmuese”, u tha Putin gazetarëve në Kremlin pasi mori pjesë në seancën plenare të Kongresit të 17-të të Shoqërisë Gjeografike Ruse (RGS) në Moskë.
Putin komentoi mbi sanksionet e fundit perëndimore ndaj Moskës, duke i përshkruar hapat e ndërmarrë si një “përpjekje për të ushtruar presion”.
“Por asnjë vend që respekton veten dhe asnjë popull që respekton veten nuk vendos kurrë asgjë nën presion”, tha ai.
Sot më herët, BE-ja miratoi paketën e 19-të dhe të fundit të sanksioneve ndaj Moskës. Dje, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi se vendosi sanksione të reja ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës ruse, respektivisht ndaj kompanive Rosneft dhe Lukoil.
Presidenti rus argumentoi se sanksionet mund të kenë pasoja të caktuara, por nuk do të kenë një efekt të rëndësishëm në mirëqenien e ekonomisë ruse, duke theksuar se presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi “numrin më të madh të sanksioneve të vendosura ndonjëherë” kundër Rusisë gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Duke e përcaktuar raundin e fundit të sanksioneve të SHBA-së si një “akt jo miqësor”, Putin tha se ato nuk i forcojnë lidhjet Moskë-Washington, të cilat ai argumentoi se sapo kishin filluar të rimëkëmbeshin.
Putin tha se Rusia dhe SHBA-ja kanë “shumë fusha për punë të përbashkët” nëse shkojnë drejt diskutimeve mbi të ardhmen afatgjatë, përfshirë sferën ekonomike.