PTHP parashtron akuzë për tentim vrasje kundër një 37 vjeçari

Pas një procedure të zbatuar hetuese, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka parashtruar Aktakuzë kundër një personi për vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentim) nga Kodi Penal. Lidhur me ngjarjen e njëjtë, është parashtruar edhe Aktakuzë kundër edhe një personi për – Ndihmë të kryerësit pas veprës së kryer penale sipas nenit 365 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 nga Kodi Penal. I akuzuari 37-vjeçar, për shkak të marrëdhënieve të mëparshme të pazgjidhura debitor – kreditor, më 10.12.2024 në fshatin Mirkovc me paramendim ka bërë përpjekje që ta privojë nga jeta një person, njoftoi sot Prokuroria Publike.
Sipas kumtesë, dy të akuzuarit kanë mbërritur së bashku me një taksi para shtëpisë së babait të viktimës dhe kanë thirrur jashtë viktimën. Kur u shfaq në derën e hyrjes, i akuzuari i parë nxori një armë dhe qëlloi një predhë direkt në të dëmtuarin. Ai e ka vërejtur me kohë armën dhe është tërhequr menjëherë pas derës që mbyllej automatikisht, ndërsa plumbi ka përfunduar në mur, ngjitur me kornizën e derës së hyrjes. I akuzuari ka filluar të trokasë dhe të godasë derën, duke tentuar të futet me forcë në shtëpi, por nuk ka arritur, pas çka të dy të akuzuarit janë larguar së bashku. I akuzuari i dytë për të ndihmuar të akuzuarin e parë pas kryerjes së krimit ka marrë me vete armën. Më datë 23.12.2024 me të njëjtën armë ka kryer veprën penale – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, për të cilin është dënuar më 22.01.2025 në bazë të pranimit të fajësisë, njofton Prokuroria.
Prokurori publik kompetent, bashkë me aktakuzën, ka propozuar edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të caktuar më parë për të akuzuarin e parë. I akuzuari i dytë, gjendet në paraburgim deri sa të hyjë në fuqi aktvendimi për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm i cili i është shqiptuar.