Pse Vuçiq nuk ‘guxoi’ të shkojë në SHBA: Kosova ndër temat e pakëndshme që e mbajnë larg Uashingtonit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka munguar në ceremoninë e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vendim që është komentuar gjerësisht si përpjekje për t’iu shmangur pyetjeve dhe përballjeve të pakëndshme me liderët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe zyrtarë ndërkombëtarë.
Ekspertë dhe analistë nga Serbia vlerësojnë se ky veprim është edhe pasojë e skandalit të fundit të Vuçiçit në Florida, por edhe një sinjal i izolimit të tij diplomatik, ku, sipas tyre, i kanë mbetur vetëm Brukseli dhe Londra si partnerë potencialë.
Sreqko Gjukiq, ish-diplomat serb, thekson se ka dy arsye kryesore pse Vuçiç e ka shmangur udhëtimin në SHBA.
Në të njëjtën linjë është edhe Miroslav Paroviq, kryetar i Lëvizjes për Liri Popullore, i cili thotë se pas incidentit në Florida dhe aferës së falsifikimit të dokumenteve për të krijuar një “Shtab të Përgjithshëm”, rruga e Vuçiqit drejt Trumpit është bërë shumë më e vështirë.
Ai përmend gjithashtu stagnimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe mungesën e një kontrate të re për gaz me Moskën, si tregues të dobësimit të pozitës ndërkombëtare të Vuçiqit.
“Vuçiqit i kanë mbetur vetëm Brukseli dhe Londra si partnerë – dhe këto nuk janë mbështetje të forta për sfidat që e presin”, ka deklaruar Paroviq.
Kosova, ndërkohë, mbetet një prej çështjeve që rëndojnë më së shumti mbi Vuçiçin në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Dragan Shormaz, themelues i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë, thekson se pyetjet për përkrahjen ndaj liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, prania në paradën ushtarake në Moskë, si dhe akti terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku nga një grup i armatosur serb, janë tema që Vuçiç do të donte t’i shmangte me çdo kusht në Uashington.
“Çështja e Kosovës është gjithmonë temë në Amerikë, veçanërisht pas aktit terrorist në Banjska, që është konsideruar si një përshkallëzim i rrezikshëm”, ka thënë Shormaz.
Sipas Dushko Lopandiq, nënkryetar i Qendrës së Serbisë (SRCE), kriza e brendshme politike në Serbi e ka ulur ndjeshëm autoritetin ndërkombëtar të Vuçiqit, i cili tashmë po përballet me vështirësi të shumta për të siguruar mbështetje ndërkombëtare në çështje kyçe si Bosnja, Kosova dhe energjia.
Vuçiq nuk ka komentuar zyrtarisht mungesën e tij në SHBA, por sinjalet nga qarqet diplomatike dhe politike serbe flasin për një president në mbrojtje, që po e ka gjithnjë e më të vështirë të menaxhojë presionet ndërkombëtare dhe pasojat e skandaleve të brendshme dhe ndërkombëtare./Telegrafi/