Protestë masive në Madrid, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Protestë masive në Madrid, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Madridit të dielën në një protestë të madhe kundër qeverisë së kryeministrit socialist të Spanjës Pedro Sanchez, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa partia e tij dhe rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve përballen me një sërë skandalesh dhe akuzash për korrupsion.
Protesta u organizua nga Partia Popullore (PP) e opozitës, nën sloganin “Mafia apo demokraci”, dhe sipas vlerësimit të autoriteteve, morën pjesë midis 45,000 dhe 50,000 njerëz, ndërsa organizatorët pretendojnë se kishte deri në 100,000.

MARKETING

Gjatë vitit të kaluar, qeveria e Sánchez dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij janë vënë nën hetime të shumta.

Presioni u rrit më tej këto ditë kur një ish-anëtare e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE), Leire Díaz, u akuzua se po përpiqej të sabotonte hetimin e udhëhequr nga Garda Civile kundër gruas së kryeministrit, Begona Gomes, vëllait të tij David Sánchez dhe ish-ministrit të transportit José Luis Abalos. Diaz i mohoi akuzat, duke pretenduar se po punonte në një libër për korrupsionin.

Protestuesit e mbledhur në Madrid mbanin pankarta me mesazhe të tilla si “Sanchez tradhtari” dhe “Qeveria duhet të japë dorëheqjen”, ndërsa udhëheqësi i PP-së, Alberto Núñez Feijo, në një fjalim drejtuar turmës kërkoi të shpalleshin zgjedhjet, raporton Guardian.

“Spanja ka nevojë për një revolucion dinjiteti dhe lirie – dhe ne do ta udhëheqim atë si në rrugë ashtu edhe në zgjedhje. Sanchez, mos u fsheh, mos gënje, Spanja e di kush je dhe çfarë ke bërë. Dorëzoja pushtetin demokracisë dhe shpall zgjedhjet – tani!” tha Feijo.

MARKETING