Protestat në Serbi/ Vuçiq: Së shpejti referendum ose zgjedhje!
Së shpejti qytetarët e Serbisë sërish mund të dalin nëpër vendvotime, në Referendum këshilldhënës, për t`u prononcuar rreth qeverisjes së tij – tha mbrëmë për TV “Happy” Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke mos përjashtuar as edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Një paralajmërim I këtillë vjen në kohën kur Serbia vazhdon të jetë e paralizuar nga protestat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit ku humbën jetën 15 persona.
“Unë asnjëherë nuk do të pranoj, madje të jem edhe I vetëm në botë, asnjë qeveri kalimtare. Unë dua t`ua jap pushtetin në bazë të referendumit këshilldhënës. Së shpejti do të ketë referendum për impiçment për Presidentin ose zgjedhje. Qeveria ndryshohet me laps. Dua të prononcohet i gjithë populli serb, e jo vetëm një pjesë e elitës urbane të Beogradit e Novi Sadit, por të gjithë qytetarët gjithandej Serbisë” – tha Vuçiq.
Përkundër thirrjes së Vuçiqit që studentët të ndërpresin protestat dhe të kthehen nëpër fakultete, vazhdojnë protestat e studentëve dhe qytetarëve në Novi Sad, Beograd dhe qytete tjera të Serbisë.
Profesorët universitar të Novi Sadit kanë mbështetur studentët në protestat e tyre. Ata kanë dënuar sjelljen e autoriteteve qeveritare ndaj studentëve dhe mbështesin kërkesat e studentëve duke bërë thirrje për grevë të përgjithshme dhe dorëheqjen e Rektorit të Universitetit të Novi Sadit.
Nga ana tjetër, gjatë gjithë javës që vjen, avokatët e Serbisë do ta ndërpresin punën e tyre në shenjë të mbështetjes së protestave të studentëve.
Anëtarët e Odës së Avokatëve në Serbi njëzëri kanë miratuar këtë vendim, duke kërkuar përmbushjen e katër kërkesave të studentëve të Universitetit të Beogradit.