Protestat në Serbi – studentja amerikane përplaset për toke, xhandarmeria serbe e shkelin dhe godasin

Një studente amerikane ra në dysheme ndërsa fshihej nga xhandarmëria serbe gjatë protestave të mbrëmshme në Beograd, dhe më pas ata filluan ta shkelnin me këmbë dhe ta godisnin me shkop në shpinë.
Profili në Instagram “Mashinci u blokadi”, publikoi foto të një studenteje që u sulmua brutalisht nga policia gjatë aksionit të mbrëmshëm para fakulteteve teknike në Beograd, transmeton Telegrafi.
Postimi, i titulluar “Të qëndrosh pranë fytit të tiranisë: Kjo është detyra më e shenjtë njerëzore”, thotë se studentja është shtetase amerikane.

“Kolegia jonë u sulmua fizikisht sot nga anëtarë të xhandarmërisë në qoshen e Bulevarit Aleksandar! Ndërsa po ikte nga xhandarmëria, te bllokada pranë ETF-së, kolegia ra në dysheme. Xhandarët më pas filluan ta shkelnin dhe ta godisnin në shpinë me shkop ndërsa ajo ishte shtrirë. Pastaj e shtynë me mburoja dhe dy prej tyre filluan ta godisnin në kokë me shkop. Megjithatë, një xhandar u tha të ndalonin. Kështu që e hodhën mënjanë dhe vazhduan ta shkelnin derisa ajo doli nga turma dhe u ul në trotuar”, thuhet në njoftim.
“Lëndimet e koleges u ekzaminuan në Qendrën e Emergjencës dhe ajo gjithashtu e raportoi sulmin në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është shtetase e tyre. Aktualisht po shërohet nga lëndimet dhe stresi”, deklarojnë studentët.
“Kjo mund të kishte qenë kushdo prej nesh. Dhuna ndaj studentëve po bëhet më e shpeshtë dhe e rëndë. Brutaliteti policor duhet të ndalet”, u tha ndër tjera.