Protesta të dhunshme në Beograd dhe Novi Sad, 42 policë të plagosur dhe 37 të arrestuar

Protesta të dhunshme në Beograd dhe Novi Sad, 42 policë të plagosur dhe 37 të arrestuar

Në Beograd dhe Novi Sad, të enjten mbrëma, përsëri janë shënuar incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të cilat u thirrën nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se në protestat janë lënduar të paktën 42 policë, disa prej të cilëve rëndë, si dhe janë ndaluar 37 persona.

Ai tha se në protestat e 14 gushtit ka ndodhur “një nga sulmet më të ashpra ndaj policisë në vitet e fundit”.
“Policia reagoi dhe ndërhyri, përdori mjete kimike aty ku ishte e nevojshme për të zmbrapsur sulmin ndaj vetes. Ky ishte një sulm ndaj shtetit. Ku e merr dikush të drejtën ta sulmojë një polic?”, tha Daçiç.

Televizioni N1 raportoi se pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd u hedhën mjete piroteknike ndaj qytetarëve.
Më herët, njësitë e xhandarmërisë serbe kishin shtyrë demonstruesit më afër ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, për t’i ndarë nga përkrahësit e pushtetit të mbledhur aty pranë.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, një grup burrash me shkopinj ishin mbledhur më herët në afërsi të Shtabit të Përgjithshëm. Opozita nga Fronti e Gjelbër–Majtë publikoi në rrjete sociale një video, duke pretenduar se këta persona ishin mbështetës të pushtetit.
Në Novi Sad, një grup i vogël demonstruesish të maskuar shkaktuan dëme në zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), sipas gazetarëve të REL-it. Në zyre nuk kishte anëtarë të partisë dhe nuk kishte as polici me uniformë. Sipas N1, protestuesit nxorën nga aty karrige dhe kuti për vezë.

Në protestën në Nish ka pasur disa incidente të vogla, kur demonstruesit kanë goditur policinë me vezë, raporton televizioni N1.

Në Kralevë, qytetarët kanë mbërritur deri te zyrat e SNS-it dhe policia ka bllokuar rrugën ku ndodhen zyrat e kësaj partie dhe selia e policisë, njofton N1.

Policia ka bllokuar hyrjen në zyrat e SNS-it edhe në Leskoc.

MARKETING