Prokuroria jep detaje për vrasjen e trefishtë brenda familjes në Rufc të Lipjanit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se vrasja e trefishtë në fshatin Rufc të Lipjanit, ka ndodhur brenda familjes.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.
“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”.
“Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, ka thënë Ulaj.
Siç ka bërë të ditur ajo, trupat e pajetë me urdhër të Prokurores së Shtetit, do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, derisa “veprimet hetimore do të vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit në plotëni”.
Sipas burimeve të Telegrafit, babai dyshohet se ka vrarë gruan dhe djalin e tij, dhe pastaj ka kryer vetëvrasje. /Telegrafi/